Wednesday, April 27, 2011

“Ndizet” Real-Barcelona

“Ndizet” Real-Barcelona


Pak orë nga sfida e tretë radhazi për këtë muaj dhe takimi i parë gjysmëfinalist për Ligën e Kampioneve mes Realit të Madridit dhe Barcelonës, trajneri madrilen gjen frymëzim të Ajnshtajni.
“Është një forcë shumë herë më e fuqishme se ajo e një vapori, se elektriciteti dhe se energjia atomike, vullneti. Këto nuk janë fjalët e mia, por të një farë Albert dhe besoj që ky Albert Ajnshtajn nuk ka qenë i mangut, e besoj se me vullnet arrihet gjithcka”, tha Murinjo në konferencën për shtyp mbajtur mbrëmjen e së martës.
Portugezi i është përgjigjur edhe deklaratës së Guardiolës që pak ditë më parë e cilësoi si të vetmin trajner që kritikon gjyqtarët.
“Deri më tani ishin dy grupe trajnerësh, një grup i madh që kritikonte arbitrat që gjykojnë keq, ku bëj pjesë edhe unë dhe një grup i vogël që nuk kritikonin kurrë arbitrat, pavarësisht gjykimit të tyre. Ndërsa tani Pep Guardiola na formoi një tjetër grup, ku bën pjesë vetëm ai, atë të trajnerëve që kritikojnë arbitrat që marrin vendimet e duhura në fushë”, tha Mou.
Ironia e “Special One” lidhej me deklaratën e trajnerit katalanas i cili pas finales së Kupës së Mbretit në Spanjë, kritikoi vendimin e gjyqtarit anësor për anulimin e një goli për Barcelonën për pozicion jashtë loje.

E menjëhershme ka qenë replika nga kampi katalanas.
“Murinjo? Zakonisht fiton ai, kjo është përralla e tij dhe ne të tjerët jemi të kënaqur me triumfet tona të vogla. Ai mund të deklarojë cfarë të dëshirojë, unë nuk e pengoj”, tha trajneri i Barcelonës, Pep Guardiola gjatë konferencës për shtyp të mbajtur orët e mbrëmjes së martë.
Guardiola u kujdes të sqarojë para gazetarëve se nuk kishte kritikuar vendimin e gjyqtarit anësor për anulimin e golit të Barcelonës në finalen e Kupës së Mbretit kundër Realit, por thjesht se kishte thënë që gjyqtari “u tregua shumë i kujdesshëm dhe dinak përderisa kapi një pozicion jashtë loje me centimetra”.
Real Madrid dhe Barcelona përballen mbrëmjen e sotme në Bernabeo në takimin e parë të dy ndeshjeve gjysmëfinale që do të luajnë bashkë për të përcaktuar skuadrën finaliste të Ligës së Kampioneve.
Dy skuadrat takohen për herë të tretë brenda këtij muaji. Takimi i parë i vlefshëm për Primera Division i luajtur në Bernabeo u mbyll në barazim 1-1, ndërsa në përballjene dytë, atë të finales së Kupës së Mbretit në Mestaja të Valencias, Reali triumfoi falë golit të shënuar nga Ronaldo në minutën e 103 të takimit.

No comments:

Post a Comment